I përshtatshëm për vrapuesit me përvojë që kërkojnë një sfidë më të gjatë dhe një ritëm të qëndrueshëm në terren malor. Livadhi Adilit Trail 23K ofron një kombinim të ngjitjeve të vazhdueshme dhe segmenteve të shpejta, duke kërkuar përgatitje të mirë fizike dhe menaxhim të mirë të energjisë gjatë gjithë garës.
Duke nisur nga Sheshi i qytetit, shtegu ngjitet përgjatë Lumbardhit, në drejtim të Shtegut të Shëndetit. Më pas vazhdon drejt Horomoqave dhe Livadhit të Sakes, në distancën 5 km ku do të jetë check point i parë. Shtegu vazhdon në drejtim të Livadhit të Adilit ku arrihet pika më e lartë prej 1420 m, në distancën 11 km dhe do të jetë check point i dytë.
Kthimi nga Livadhi i Adilit bëhet në drejtim të vendit të quajtur Varri i Shehit dhe vazhdohet për në Tarabosh, deri te pika panoramike – një ndër pjesët më të bukura të shtegut, prej nga shihet i gjithë qyteti i Pejës, Rruga panoramike e Peklenës, Liqeni i Radoniqit etj.
Në këtë pikë do të vendoset checkpoint-i i tretë, në distancën 17 km.
Nga Taraboshi vazhdohet përmes shtegut të bukur që të çon në drejtim të Livadhit të Ugiqit, pastaj vazhdohet në drejtim të Livadhit të Sakes dhe kthimi bëhet përmes shtegut të quajtur ‘Proni i Bardhë’, në drejtim të Horomoqave, ku shtegu kalon nëpër pyll me drunj të llojeve të ndryshme, si dhe përfshin kalime mbi përrocka.” Gjatë rrugës hapen pamje mbresëlënëse të Grykës së Rugovës, rrugës panoramike të Peklenës, qytetit të Pejës dhe Lumbardhit.
Përfundimi i garës bëhet në Sheshin e qytetit të Pejës.
Starti: 14 Qershor 2026, ora 09:00, Pejë
Distanca: 23 km
D+/D-: 1100 m
Limiti kohor: 6 orë
Pika më e lartë: 1420 m
Pikat e furnizimit: 3